Ndërsa Partia Demokratike ka përfunduar orët e planifikuara të “revoltës” përpara Kryeministrisë, të cilat nisën prej orës 18:00, me podium, altoparlantë dhe fjalime të mbushura me tone dramatike, një video në rrjet duket se thyen monotoninë e zakonshme të protestave shqiptare.
Në pamje shfaqet një protestues i opozitës i cili, mes thirrjeve për “ndryshim” dhe “rrëzim”, ka zgjedhur një formë krejt tjetër shprehjeje: vallëzimin. I kapur nga kamera, qytetari duket sikur ndodhet në një atmosferë krejt tjetër — jo në një protestë, por në një lloj “after-party” politik — duke bërë disa lëvizje ritmike.
Një valle që thotë më shumë se çdo fjalim politik:
Në pamje të parë, situata mund të duket komike, por vallëzimi i protestuesit sjell në sipërfaqe një ironi të hidhur që shqiptarët e kanë përjetuar prej vitesh. Sepse, pavarësisht retorikës së ashpër mes opozitës dhe pushtetit, politika shqiptare shpesh ka funksionuar si një koreografi me lëvizje të sinkronizuara.
