Vijojnë misteret në lidhje me zhdukjen e pagjurmë të Ervis Martinajt, njeriut më të shumëkërkuar në Shqipëri që nga 11 gushti 2022, mbrëmjen kur ai u shpall dhe u denoncua i zhdukur nga familjarët e tij.
Në pamjet e publikuara nga “News24”, Martinaj shfaqet mbrëmjen e 5 gushtit 2022 në ambientet e një hoteli në vijën bregdetare të Durrësit.
Në këto pamje ai dallohet teksa është në praninë e të dashurës së tij me të cilën kaloi mbrëmjen dhe efektivit të policisë, Jeton Lami i cili tashmë ndodhet i ndaluar nga grupi hetues, që po merret me zbardhjen e së vërtetës së zhdukjes së atij që njihej si ‘Mbreti i Lojërave të Fatit’.
Por që askush nuk di të thotë cili është misteri i zhdukjes së tij. Në foton e publikuar, shihet makina e braktisur që përdorej nga Ervis Martinaj. Makina u gjend pranë një karburanti në rrugën Durrës-Kukës. Ndërkohë që nuk ka të dhëna të tjera se çfarë u gjend në brendësi të këtij automjeti.
Hetimi për zhdukjen e Martinajt, nisi pas informacionit të marrë nga një burim konfidencial, i cili rrëfente se i shumëkërkuari ishte rrëmbyer dhe vrarë nga kundërshtarët. Në dosje thuhet se njeriu më i famshëm i krimit në Shqipëri, është nxjerrë në pritë nga një femër, emri i të cilës nuk bëhet i ditur.
Autoritetet nuk e kanë ende një përgjigje për fatin e babait të 4 fëmijëve të mitur, ndërsa kryeministri Edi Rama ka theksuar së fundmi se e kanë një përgjigje për këtë çështje, por duhet mbështetur në prova.
Por ai nuk ka saktësuar nëse i shumëkërkuari e ka inskenuar ngjarjen apo është rrëmbyer dhe vrarë nga kundërshtarët e shumtë.