Këto janë pamjet nga aksidenti tragjik i ndodhur në Manzë të Durrësit, ku humbën jetën çifti Kleo Vrioni e Sara Brugentelli dhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri. Pamjet tregojnë momentin kur automjeti i drejtuar nga Vrioni humb kontrollin dhe përplaset me një bordurë betoni, e më pas bie në kanalin e rrugës.
Dyshohet se automjeti po udhëtonte me një shpejtësi nga 115-130 km/orë para ngjarjes. Po ashtu dyshohet se drejtuesi i mjetit kishte konsumuar alkool para aksidentit. Megjithatë Policia ka njoftuar se ende nuk ka një përfundim zyrtar të ekspertizës. Nga rindërtimi i skenës së ngjarjes rezulton se drejtuesi i automjetit humbi kontrollin në momentin e marrjes së kthesës, duke u përplasur me një bordurë. Më pas automjeti u përmbys dhe lëvizi ‘zvarrë’ përreth 40 metra.
Nga aksidenti mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, Rejsi Vrijoni 26-vjeç dhe 16-vjeçari Klevis Dervishi. Ky i fundit ndodhet në gjendje të rëndë, tek spitali i Traumës në Tiranë.
