GJKKO ka shtyrë për të enjten vendimin për ish-drejtorin e Drejtorisë Hetimore Qendrore në Policinë e Shtetit, Artan Shkëmbi.


Avokati i tij mbrojtës, Artan Broci ka kërkuar në seancë më shumë kohë që të njihet me dosjen.


Shkëmbi akuzohet se dekonspiroi operacionet e OFL-së.


Të shtunën GJKKO ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të pezulluar nga detyra drejtuesin e lartë të Policisë deri në përfundim të hetimeve.


Mësohet se SPAK po kryen hetime për “Shpërdorim detyre” për shkak të nxjerrjes së një sekreti hetimor nga ana e Artan Shkëmbit.


Të dhënat flasin për një hetim që po kryhet edhe në Gjermani. Policia gjermane kishte nisur një hetim pasuror për një shtetas shqiptar të përfshirë në aktivitete të paligjshme në Gjermani. Mësohet se autoritetet gjermanë kanë mësuar dhe kanë ngritur dyshime ndaj numrit dy të OFL në Shqipëri se ai kishte informuar subjektin nën hetim nga Gjermania.