Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka reaguar ditën e sotme në lidhje me vatrat e shumta të zjarrit që po përfshijnë vendin, duke bërë thirrje urgjente për mobilizim më të madh të strukturave të emergjencës.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Gjekmarkaj nënvizoi se përhapja e flakëve po merr përmasa kaotike në disa zona të Shqipërisë. Ai veçoi Milotin si një nga pikat më kritike, ku gjendja raportohet veçanërisht e rrezikshme dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga organet kompetente. Deputeti u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse të shtojnë pa vonesë forcat, mjetet dhe masat në terren në mënyrë që situata të mos dalë tërësisht nga kontrolli.
“Thirrje për ndërhyrje me forca shtesë! Gjendja e vështirë nga zjarret po merr përmasa kaotike në shumë zona të Shqipërisë. Në Milot, situata raportohet veçanërisht e rrezikshme dhe kërkon reagim të menjëhershëm. I bëj thirrje organeve përgjegjëse të shtojnë forcat, mjetet dhe masat në terren, në mënyrë që situata të mos dalë jashtë kontrollit dhe të mos rrezikohen banesat dhe jeta e qytetarëve. Në këtë moment, e gjithë vëmendja dhe angazhimi i shtetit duhet të jetë te mbrojtja e jetës, siguria e qytetarëve dhe frenimi i përhapjes së zjarreve. Nuk ka vend për neglizhencë. Çdo minutë është e rëndësishme.”– shkruan ai.
