Dy shtëpi bari janë zbuluar nga policia në Malësinë e Madhe, teksa 3 persona kanë rënë në pranga. Sipas policisë, ambientet e kultivimit të kanabisit janë gjetur në fshatin Bajzë, njëra e ngritur nga një familje e tjetra nga disa persona të tjerë.
Në pranga ka rënë një 22-vjeçar dhe është shpallur në kërkim babai i tij. Po ashtu është proceduar penalisht nëna. Nga ana tjetër, për ambientin e dytë, janë arrestuar dy persona dhe janë proceduar penalisht dy persona të tjerë.
Policia ka sekuestruar dhe asgjësuar 287 bimë dhe fidanë të dyshuar narkotikë, e po ashtu janë gjetur 515 gramë kanabis, municion luftarak, 1 armë e ftohtë (thikë), 101 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, 2 automjete, 9 celularë dhe pije të ndryshme alkoolike të dyshuara të kontrabanduara.
Njoftimi i policisë:
Malësi e Madhe/Finalizohet operacioni policor i koduar “Neonët 2”.
Zbulohen në fshatin Bajzë, 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike, me llamba. Në njërën prej banesave u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Gjatë operacionit u godit dhe një rast i magazinimit të mallrave të kontrabanduara.
Sekuestrohen 287 bimë dhe fidanë të dyshuar narkotikë, 515 gramë kanabis, municion luftarak, 1 armë e ftohtë (thikë), 101 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, 2 automjete, 9 celularë dhe pije të ndryshme alkoolike të dyshuara të kontrabanduara. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, procedohet penalisht nëna e tij, shpallet në kërkim babai i tij, të dyshuar të përfshirë në këto veprimtari kriminale. Vihen në pranga 2 punonjës të OSHEE-së dhe procedohen penalisht 2 punonjës të tjerë, për shpërdorim detyre.
Në zbatim të planit të masave për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të ndryshme, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjes dhe përpunimit të tyre për shitje. Si rezultat u finalizua operacioni policor i koduar “Neonët 2”. Në kuadër të këtij operacioni:
-u arrestua në flagrancë shtetasi D. B., 22 vjeç, u procedua penalisht nëna e tij, shtetasja F. B., 54 vjeçe, dhe u shpall në kërkim babai i tij, shtetasi S. B., 57 vjeç, të tre banuese në fshatin Bajzë.
Gjatë kontrolleve në banesën e këtyre shtetaseve dhe në një banesë të pabanuar në fshatin Bajzë, të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 119 bimë dhe 168 fidanë të dyshuar narkotikë, 515 gramë lënde të dyshuar narkotike Cannabis sativa, municion luftarak, 1 armë të ftohtë (thikë), 49 llamba, 47 pajisje elektrike inverter, 3 aspiratorë, 2 filtra ajri, 2 automjete dhe 9 celularë. Gjatë kontrollit në banesën e pabanuar, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit S. B., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 138 arka dhe shishe me pije të ndryshme alkoolike, të dyshuara të kontrabanduara. Në vijim të veprimeve hetimor dhe procedurale për këtë rast:
-u ndaluan shtetasit E. Ç., 27 vjeç dhe F. D., 57 vjeç, të dy banues në fshatin Bajzë dhe nisi procedimi penal për shtetasit L. L., 52 vjeç, banues në fshatin Bajzë dhe I. D., 53 vjeçe, banuese në Koplik, të gjithë punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit S. B. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.



