Këtu jemi në fshatin Bitinckë në Devoll. Një fshat ku, ironikisht, pasuritë natyrore janë në sipërfaqe, mund të shkelen me këmbë, por nuk shfrytëzohen… Natyra dhe proceset e saj i kanë nxjerrë mineralet përpara syve tanë…

“Këtu jemi në vendburimin e Bitinckës, është pjesa jugore e zonës së Mirditës, siç thuhet në gjeologji, këtu jemi në pjesën e karrierës së Bitinckës ku është shfrytëzuar minerali para disa viteve me qiell të hapur”, u shpreh Panajot Aliçkolli, specialist gjeolog.

Në juglindje të Kolonjës, mes relievit të thyer dhe shtresave që mbajnë historinë gjeologjike, ndodhet vendburimi i Bitinckës, një nga zonat më pak të eksploruara publikisht, por me potencial të rëndësishëm. Kjo zonë lidhet me të njëjtin brez mineralizimi që përfshin edhe struktura të tjera të njohura ku ndërthuren procese të lashta magmatike dhe sedimentare, duke krijuar kushte për formimin e mineraleve metalore.

“Si pjesë e vendburimit të Bitinckës janë hapur edhe dy karriera të tjera në zonën e Lipjakut në Tren si dhe në zonën e Kapshticës në pjesën më lindore të vendburimit”, u shpreh Panajot Aliçkolli, specialist gjeolog.

“Ndarja fillon që nga zona veriore që quhet zona e Lipjakut, zona e Trenit, vazhdon mbi fshatin Bitinckë, vazhdon deri në Varrezat e Bilishtit ose siç i themi ne ‘Koka e Vllavës’”, u shpreh Panajot Aliçkolli, specialist gjeolog.

“Dalje tjetër sipërfaqësore përveç kësaj është edhe në zonën e Kapshticës ku, nga lëvizjet tektonike, është ngritur kjo pjesë në sipërfaqe dhe mineralizimi ka dalë në sipërfaqe”, u shpreh Aliçkolli.

Bitincka qëndron mbi një kompleks formacionesh gjeologjike ku prania e hekur-nikelit, kromit dhe elementëve të tjerë shoqërues ka tërhequr vëmendjen e studimeve të ndryshme ndër vite. Në këtë zonë, proceset e serpentinizimit, transformimi i shkëmbinjve ultrabazikë nën ndikimin e ujit dhe temperaturave të larta, kanë krijuar asete të çmuara të cilat, nëse shfrytëzohen, përkthehen në përfitime të mëdha.

“Vendburimi i Bitinckës është një ndër vendburimet më të njohura jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe në Europë për mineralizimet e hekur-nikelit dhe nikelit silikat. Kjo është veçantia e këtij vendburimi që i ka të dy shtresat minerale”, shprehet specialisti gjeolog.

“Shtresa e nikelit silikat që ndodhet në pjesën e poshtme direkt mbi shkëmbinjtë ultrabazikë dhe pjesa e hekur-nikelit është mbi mineralizimin e hekur-silikatit. Mbi këto mineralizime ndodhen gëlqerorët e Ocenit, të cilët përbëjnë një kapelë ku vendoset mineralizimi i hekur-nikelit dhe nikelit silikat”, u shpreh Panajot Aliçkolli, specialist gjeolog.