Autoritetet kanë reaguar pas publikimit në rrjetin social Facebook të një videoje nga shtetasi Arben Llangozi, me profesion avokat, e cila ka ngritur debat publik dhe ka nxitur verifikime zyrtare mbi përmbajtjen e saj.
Në videon e publikuar, pretendohet se gjatë një ndërhyrjeje të forcave të rendit në një banesë private, është ushtruar dhunë ndaj një të moshuare 75-vjeçare, si dhe se janë përdorur metoda që mund të kenë penguar regjistrimin e plotë të ngjarjes nga kamerat e sigurisë, përfshirë edhe ndërprerjen e energjisë elektrike.
Sipas postimit të avokatit Llangozi, pamjet filmike dhe dëshmitë e pretenduara ngrenë dyshime mbi mënyrën e ndërhyrjes dhe sjelljen e efektivëve të përfshirë, duke e cilësuar situatën si shqetësuese dhe që kërkon transparencë të plotë.
Në reagimet e para, autoritetet kanë bërë të ditur se janë duke kryer verifikime për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse veprimet e pretenduara në video përputhen me realitetin dhe me procedurat ligjore të ndjekura gjatë ndërhyrjes.
Hetimet dhe verifikimet pritet të përcaktojnë në vijim nëse bëhet fjalë për një incident të izoluar, apo nëse janë shkelur procedurat gjatë veprimeve të autoriteteve në terren.
Ngjarja ka ngjallur reagime në opinionin publik, ndërsa pritet një qëndrim zyrtar më i detajuar pas përfundimit të verifikimeve.
Në njoftimin e policisë thuhet:
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës
Në lidhje me një video të publikuar në llogarinë në Facebook të shtetasit A. Ll., me profesion avokat, sqarojmë se menjëherë, u kryen veprimet e nevojshme verifikuese mbi pamjet dhe ngjarje të tjera që lidhen me rastin e shfaqur në to.
-Nga këto verifikime rezultoi se pjesa e parë e videos së publikuar paraqet një ngjarje të ndodhur vitin e kaluar, për të cilën, më datë 22.12.2025, janë referuar materialet në Prokurori, ku është vendosur procedimi penal në gjendje të lirë, për shtetasit që shfaqen në video, D. Sh. dhe B. M., pasi dyshohet se më datë 22.12.2025, rreth orës 12:30, në Golem, Kavajë, kanë goditur me grushte dhe me shkelma, shtetasin R. A., me pretendimin se ky i fundit i ka fyer gjatë konfliktit për motive pronësie.
-Pjesa e dytë e videos së publikuar lidhet me shoqërimin e nënës së shtetasit R. A., shtetases Sh. A., 69 vjeçe, pasi më datë 04.05.2026, Policia e Kavajës është njoftuar se e moshuara kishte spërkatur me lëndë djegëse, dhe më pas kishte ndezur, një kontejner të një subjekti ndërtimi, në pronësi të shtetasit A. L.. Në momentin e shoqërimit, kjo shtetase ka kundërshtuar me forcë, punonjësit e Policisë, duke i goditur dhe kafshuar.
Në këto kushte, me qëllim shmangien e konfliktit të interesit, veprimet procedurale për këtë rast janë kryer nga oficeri i Policisë Gjyqësore i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ku ka filluar procedimi në gjendje të lirë, për shtetasen Sh. A., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Më tej, informojmë se janë referuar materialet procedurale në Prokurori dhe për 2 raste të tjera të lidhura, konkretisht:
-më datë 24.03.2026, ka kallëzuar te Komisariati i Policisë Kavajë, shtetasja Sh. A., se i kishin marrë në mënyrë të padrejtë, pronën, duke e shmangur si trashëgimtare;
-më datë 15.04.2026, ka kallëzuar shtetasi E. M., se shtetasja Sh. A. kishte shkatërruar rrethimin e kantierit të ndërtimit që administron ai.
Policia e Durrësit garanton qytetarët se është maksimalisht e angazhuar, për të trajtuar shpejt dhe me profesionalizëm, çdo indicie, njoftim dhe denoncim për paligjshmëri ose shkelje të të drejtave të tyre.
