Mediat greke kanë publikuar momentin kur vajza e 36-vjeçares shqiptare Marjeta Nikoleci, e cila u vra mbrëmjen e djeshme në Volos të Greqisë nga bashkëshorti Panteli Nikoleci, mes lotësh sheh pellgun me gjak të nënës së saj në hyrje të pallatit ku familja banonte.

Siç raporton protothema.gr, autori i dyshuar i krimit, bashkëshorti i viktimës, Panteli Nikoleci rezulton me histori të mëparshme problemeve të shëndetit mendor. Mësohet se në qershor të këtij viti autori i dyshuar, punonjës ndërtimi, ishte shtruar në një klinikë psikiatrike.

Kujtojmë se 36-vjeçarja, nënë e katër fëmijëve, u vra në mënyrë brutale nga bashkëshorti i saj, i cili më pas u arratis nga vendngjarja.

Krimi ndodhi në rrugën “Konstanda”, ndërsa autori i dyshuar është 40-vjeçari shqiptar, Panteli Nikoleci., i cili u largua me vrap pasi kreu aktin makabër.

Ngjarja u zbulua pasi vajza 16-vjeçare e çiftit, e tmerruar, telefonoi urgjencën pasi pa nënën e saj të gjakosur në hyrje të pallatit. Sipas burimeve mjekësore, viktima kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes për shkak të gjakderdhjes së madhe, e shkaktuar nga goditje me thikë dhe prerje nga xhamat e thyer të derës hyrëse.

“E pashë babin të qëllonte mamin me thikë”– deklaroi ajo në polici.

Dëshmia rrëqethëse e vajzës së mitur përforcon dyshimet se viktima fillimisht u godit me thikë në banesë dhe më pas u ndoq nga burri i saj në shkallët e pallatit. Pasi e arriti në hyrje, ai e shtyu drejt xhamit të derës, duke i shkaktuar plagë fatale nga copat e thyer të xhamit. Më pas, autori u largua menjëherë.

Vajza se prindërit e saj kishin shpesh debate dhe se kohët e fundit e ëma e kishte larguar të atin nga shtëpia.

“Nuk e di pse u zunë sot… Babai e xhelozonte shumë mamin,”– shtoi ajo.

Sipas mjekëve të spitalit të qytetit, vdekja e 36-vjeçares erdhi pas traumës së rëndë nga rënia mbi xhamat e thyer.