Pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë kanë nxjerrë në pah momentet kur autorët e vrasjes së biznesmenit Edmond Mëhalla në Elbasan janë larguar nga parkimi me automjetin që përdorën për të kryer krimin. Ky automjet, në pronësi të kompanisë së viktimës dhe ortakut të tij Xhino Ago, ka ndihmuar policinë të zbardhë ngjarjen dhe të lidhë dyshimet me një grup të përfshirë në vrasje.

Në kuadër të hetimeve, Policia e Elbasanit ka arrestuar të martën ortakun e viktimës, Xhino Ago, i cili akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Sipas hetimeve, Ago dyshohet se ka pasur një rol të rëndësishëm në organizimin dhe realizimin e krimit, duke bashkëpunuar me persona të tjerë.

Po ashtu, është arrestuar dhe roja i karburantit, Kujtim Pisha, 52 vjeç, i cili akuzohet për “Moskallëzim krimi”. Hetimet kanë treguar se Pisha ka pasur dijeni për ngjarjen dhe nuk ka lajmëruar autoritetet, duke u bërë pjesë e hetimeve.

Ndërkohë, në kërkim janë shpallur Marselo Arani, 32 vjeç, dhe Armando Kola, 35 vjeç, të dyshuar si autorë të vrasjes. Arani është banues në Elbasan, ndërsa Kola në Laç. Policia ka intensifikuar kërkimet për kapjen e tyre dhe për zbardhjen e rolit të secilit në këtë ngjarje tragjike.

View this post on Instagram

A post shared by Top Channel (@topchannelalbania)

Më tej, ditën e mërkurë, është arrestuar një tjetër person i përfshirë në vrasje, Nevzat Spaho, 29 vjeç, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në realizimin e krimit. Hetimet janë ende në vazhdim, dhe autoritetet pritet të specifikojnë më tej rolin e çdo të arrestuari në këtë ngjarje.