Këngëtarja Eli Fara është paraqitur në polici për të dhënë dëshminë e saj në kuadër të hetimeve që po zhvillohen pas publikimit të videove intime, të cilat raportohet se janë regjistruar në ambientet e lidhura me kompozitorin Adrian Hila.
Sipas raportimeve në media, Fara është pyetur nga hetuesit për rrethanat e ngjarjes dhe për ekzistencën e kamerave në ambientin ku dyshohet se janë realizuar pamjet.
Gjatë dëshmisë, këngëtarja mësohet të ketë deklaruar se nuk kishte dijeni për praninë e kamerave. Ajo gjithashtu është shprehur se nuk beson që Adrian Hila të jetë personi që ka shpërndarë materialet që më pas përfunduan në publik.
Dëshmia e Farës vjen një ditë pasi edhe vetë kompozitori Adrian Hila u paraqit në komisariat për t’u marrë në pyetje.
Hila ka deklaruar para autoriteteve se kamerat e instaluara në banesë ishin vendosur për arsye sigurie. Ai ka mohuar gjithashtu që të ketë qenë personi që publikoi apo shpërndau videot intime.
Ndërkohë, lidhur me çështjen është regjistruar edhe një denoncim ndaj kompozitorit, ndërsa hetuesit po përpiqen të përcaktojnë të gjithë zinxhirin e ngjarjes: nga mënyra e regjistrimit të pamjeve deri te personi apo personat që i kanë nxjerrë dhe shpërndarë ato.
Si pjesë e hetimeve, policia ka ushtruar kontrolle edhe në banesën e Hilës. Gjatë kontrollit janë konstatuar kamera, por deri në këtë fazë nuk është përcaktuar publikisht nëse ato janë të njëjtat pajisje me të cilat janë realizuar videot intime që raportohet se datojnë nga viti 2024.
Pikërisht përcaktimi i origjinës së pamjeve është një nga elementet kryesore që pritet të sqarojë hetimi.
Autoritetet po verifikojnë nëse personat e regjistruar kishin dijeni për kamerat, si janë ruajtur materialet dhe në çfarë mënyre ato kanë përfunduar më pas në publik.
Hetimet për çështjen vijojnë, ndërsa dëshmitë e personave të përfshirë dhe ekspertimi i pajisjeve të sekuestruara pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave.
