Familjarët e 34-vjeçarit Eglant Koçi kanë mbërritur në fshatin Cerujë të Elbasanit, ku mesditën e së enjtes është gjetur një trup i pajetë, që dyshohet se i përket të riut të zhdukur prej dy javësh.
Sipas informacioneve paraprake, grupi hetimor së bashku me familjarët kanë shkuar në zonën pranë fshatit, ku është konstatuar një trup i pajetë, identifikimi i të cilit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Eglant Koçi është parë për herë të fundit më 4 qershor pranë sheshit “Wilson” në Tiranë, duke lëvizur me motor, ndërsa një ditë më pas është denoncuar si i zhdukur nga familjarët.
34-vjeçari rezultonte i punësuar në një mobilieri, ndërsa policia dyshon se ai mund të ketë qenë i përfshirë edhe në aktivitet të lidhur me kriptomonedhat, që po hetohet si një nga pistat kryesore të çështjes.
Ndërkohë, në kërkim vijon të jetë i dyshuari kryesor Armand Shakaj, i cili sipas hetimeve ka ndryshuar disa numra telefoni për t’iu shmangur lokalizimit nga policia.
