Pas incidentit të ndodhur ditën e djeshme, ku pas daljes nga Kuvendi u rrethua nga një grup protestuesish, ka reaguar vetë deputeti socialist Ardit Bido. Bido u shpreh se grupi që e rrethoi ishte agresiv dhe e fyente vazhdimisht. Sipas deputetit socialist, bëhej fjalë për një grup ndryshe nga protestuesit e tjerë, të cilët madje mbledhin mbeturinat pas përfundimit të protestës në bulevard.
“Teksa dilja nga Parlamenti dje, ndalova te disa protestues duke komunikuar normalisht. Më vonë erdhi një grup i madh agresiv, me fyerje dhe dhunë. Në kaq vite punë nuk më gjeni asnjë moment që kam fyer, kam etiketuar pa fakte, sepse nuk mendoj që kjo shoqëri ka nevojë për këtë lloj dhune dhe agresiviteti. Ajo që pashë dje ishte që një grup njerëzish, të nxitur nga arritje të vogla ose të mëdha, shkojnë drejt dhunës, ndryshe nga ata që mbledhin mbeturinat në fund të mitingut. Këtë nuk duhet ta pranojmë. Mua nuk më tremb kjo gjë, sepse në vendin tim nuk kam frikë se ku shkoj dhe ku eci. Ky është destabilizim”, u shpreh Bido.
