Një person është arrestuar në flagrancë nga Policia në Mirditë, pasi dyshohet se ka ndezur qëllimisht disa vatra zjarri në fshatin Gziq të Rrëshenit.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili ka reaguar përmes një postimi, duke kërkuar që çështja të hetohet deri në fund dhe autori të përballet me përgjegjësinë penale, nëse fajësia provohet. Sipas Lamallarit, personi i arrestuar, banues në fshatin Gziq, dyshohet se ka ndezur tre vatra zjarri, duke shkaktuar djegien e rreth 400 metrave katrorë sipërfaqe pyjore.

Vatrat janë vënë nën kontroll nga shërbimet e Policisë së Mirditës, të cilat, sipas zëvendësministrit, kanë qenë në ndjekje në terren prej tre ditësh. I dyshuari dyshohet gjithashtu se është i përfshirë në disa raste të tjera zjarrvënieje në territorin e Bashkisë Mirditë.

Lamallari u ka bërë thirrje strukturave të drejtësisë që të vijojnë hetimet dhe të sigurojnë prova të plota për rastin.

Apeli im për Prokurorinë është i drejtpërdrejtë: kjo çështje duhet të shkojë deri në fund. Hetim i plotë, prova të plota dhe përgjegjësi penale për autorin, nëse fajësia provohet”, ka deklaruar ai.

Sipas Lamallarit, arrestimi i të dyshuarit ka parandaluar edhe përhapjen e mëtejshme të zjarreve në zonë.

Zjarri i qëllimshëm është krim me autor”, është shprehur ministri, duke theksuar se Policia do të vijojë identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar për zjarrvënie, ndërsa Prokuroria dhe gjykatat duhet të ndjekin procedurat përkatëse ligjore.

Hetimet për rastin në Mirditë vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve dhe përcaktimin e përgjegjësive.