Policia e Durrësit ka arrestuar 24-vjeçarin Denis Faruku, banues në Sukth, pasi nëpërmjet një videoje në rrjetin social TikTok, ai kishte bërë thirrje të drejtpërdrejta për akte të dhunshme, duke paralajmëruar djegien e një makine të Policisë së Shtetit.
Në videon e publikuar, Faruku deklaronte se do ta transmetonte drejtpërdrejt aktin më 1 maj, në orën 00:00, përmes një adrese të re që kishte hapur enkas për këtë qëllim. Ai shprehej:
“Shihemi më datë 1, në 12 të natës. 5 euro benzinë, 1 euro çakmak… ja q** motrën… shtetit. Ika, respekt, Zoti iu ruajt, mos harroni!”
Sipas Policisë, i riu akuzohet për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”.
Autoritetet thanë se veprimet e 24-vjeçarit përbëjnë promovim të dhunës dhe nxitje të veprimeve të rrezikshme në publik. Drejtoria e Antiterrorit është përfshirë në hetim për të analizuar përmbajtjen dhe ndikimin e mesazheve të shpërndara në rrjet.

