Banorët e Memaliajt janë ngritur ditën e sotme në protestë, kundër reformës territoriale e cila parashikon bashkimin e saj me Bashkinë Tepelenë. Në përfundim të protestës së dytë kundër draftit për shkrirjen e Bashkisë Memaliaj, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugën nacionale, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin.

Dhjetëra banorë kanë vijuar protestën në këmbë drejt hyrjes së qytetit të Memaliajt, duke përsëritur kundërshtimin ndaj bashkimit të Memaliajt me Tepelenën. Me thirrje dhe pankarta, protestuesit kanë kërkuar që zëri i banorëve të merret në konsideratë dhe që Bashkia Memaliaj të mos shkrihet. Pas marshimit dhe bllokimit të rrugës nacionale, protesta është mbyllur, ndërsa banorët kanë paralajmëruar vijimin e reagimeve edhe në ditët në vijim.