Gjithçka është shkatërruar pas zjarrit që shpërtheu në një magazinë të fishekzjarrëve dhe oxhaqeve në Shkozet ditën e djeshme. Fillimisht magazina ka shpërthyer, më pas kanë nisur të përhapen flakët. Sipas informacioneve paraprake të pakonfirmuara ende, zjarri dyshohet se është shkaktuar pasi, për shkak të temperaturave të larta, janë këputur dy kabllo të tensionit të lartë të energjisë elektrike, të cilat dyshohet se kanë rënë mbi magazinë.
Kjo që shihni në videon e siguruar nga gazetarja e Top Channel Vali Qyrfyçi, është situata pas zjarrit që ra dje. Zjarrfikësit kanë vijuar punën dhe gjatë natës. Objekti është djegur plotësisht, ndërsa disa vatra mbeten aktive dhe re tymi vazhdojnë mbi atë që deri dje ishte magazinë.
