Dy ditë më parë, Policia e Durrësit ka referuar për procedim penal një 14-vjeçar nga Durrësi, pasi dyshohet se ai zotëron një mjet prerës, një thikë. Sipas hetimeve, i mituri kishte publikuar një foto në TikTok, ku shfaqej duke mbajtur thikën në dorë, së bashku me një bashkemoshatar.
Burime policore bëjnë të ditur se, ndonëse adoleshenti jeton në zonën e ish-Kënetës, ajo e njëjtë ku ndodhi ngjarja tragjike me humbjen e jetës së 15-vjeçarit Erion Boba, as ai dhe as shoku i tij nuk janë të përfshirë në konfliktin që çoi në vrasjen e Bobës.
Fenomeni i “modelit të të fortit” po bëhet gjithnjë e më problematik në radhët e të rinjve, duke nxitur dhunën dhe sjellë pasoja të rënda mes adoleshentëve. Megjithëse përdorimi i platformës TikTok është i ndaluar në Shqipëri, shumë adoleshentë vazhdojnë ta përdorin atë përmes VPN-ve të huaja.

