Në këtë dokumentar, Inside Story ka analizuar statistika, dosje hetimore, ekspertiza aksidentesh dhe vendime gjyqësore me pasoja fatale, duke zbuluar faktorët që vazhdojnë të prodhojnë viktima dhe nëse rrugët shqiptare po bëhen më të sigurta apo më vdekjeprurëse.
Në shumicën e rasteve, hetimet fokusohen te drejtuesi i mjetit. Por ekspertët e ligjit thonë se një hetim i tillë është i cunguar. Në shumë raste, aksidenti nuk lidhet vetëm me gabimin njerëzor. Mungesa e sinjalistikës, amortizimi i rrugës, ndriçimi i dobët apo infrastruktura problematike mund të kenë ndikuar drejtpërdrejt në pasojat tragjike. Megjithatë, këta elementë shpesh mbeten jashtë fokusit të hetimit.
“Një hetim nuk mund të fokusohet vetëm te mjeti që ka kryer aksidentin. Por duhet të fokusohet te të gjithë përdoruesit e rrugës. Dhe përdorues të rrugës janë këmbësorët, janë përdoruesit e mjeteve, janë drejtuesit e çdo motomjeti, dhe të gjithë këta elementë duket se anashkalohen dhe i bien shumë shkurt hetimeve të aksidenteve”, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci.
Por a mjafton gjithmonë të identifikohet shoferi për të kuptuar të vërtetën e një aksidenti?
Një video e siguruar nga Inside Story, e një aksidenti në Kamëz, tregon se përgjigjja nuk është aq e thjeshtë.
Pamjet dokumentojnë momentet e fundit të jetës së një të moshuari dhe një dinamikë që ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si analizohen aksidentet rrugore.
Në pamje, trafiku vijon normalisht dhe asgjë nuk të bën të mendosh se brenda pak sekondash një person do të humbasë jetën.
I moshuari ndodhet në karrexhatë. Më pas ndodh momenti fatal.
Kamioni i dytë niset nga vendi ku ishte parkuar. Në dukje, drejtuesi vazhdon normalisht itinerarin. Nuk dallohet asnjë manovër shmangëse, asnjë frenim i fortë dhe asnjë reagim që të tregojë se ka konstatuar praninë e një trupi në rrugë që ndoshta mund të ishte ende gjallë.
Kamioni kalon mbi të moshuarin. Ajo që trondit më shumë nuk është vetëm përplasja. Është fakti se mjeti vazhdon rrugën.
Sipas informacioneve të siguruara nga Inside Story, drejtuesi i mjetit ka vazhduar punën normalisht deri në pikën e grumbullimit të skrapit ku ishte i punësuar.
Vetëm pas afro një ore, policia ka arritur ta lokalizojë.
Efektivët janë paraqitur në vendin e punës dhe e kanë ndaluar, duke e informuar se automjeti që ai drejtonte ishte përfshirë në një aksident fatal.
Automjetet e tonazhit të rëndë kanë kënde të vdekura shikimi, të njohura si “blind spots”, zona ku drejtuesi mund të mos ketë pamje të plotë të rrugës përpara apo anash mjetit.
Por, pikërisht për këtë arsye, ekspertët e sigurisë rrugore theksojnë se drejtuesit e këtyre mjeteve mbajnë një përgjegjësi edhe më të madhe gjatë qarkullimit në zona urbane ku lëvizin këmbësorë.
Pyetjet që ngrihen natyrshëm janë nëse viktima ndodhej në një pikë të verbër të kamionit apo shoferi ishte i pavëmendshëm? Dhe, akoma më tej, a mund të ishte shmangur tragjedia?
Këto janë pyetjet që një hetim i plotë duhet t’u japë përgjigje.
“Unë i mëshoj shumë faktit të procesverbalit të vendit të ngjarjes, aty ku nis gjithçka, mbledhja e të gjitha provave dhe padiskutim kamerave. Sepse ato, edhe sikur një ekspert apo grup ekspertësh të jenë të paaftë apo duan të ndryshojnë një fakt të caktuar, këto elementë e bëjnë çdo palë të interesuar, edhe atë që akuzohet padrejtësisht si fajtor në aksident, që të ketë mundësi ta kundërshtojë, që të ketë mundësi të bëjë një akt alternativ dhe, në rastin e kamerave, pastaj mund ta vërtetojë edhe qartësisht se si ka ndodhur aksidenti”, u shpreh Gedeon Dudushi, ekspert i sigurisë rrugore.
Rasti i Kamzës, ne e zbuluam përmes kamerave, tregon se aksidentet nuk janë gjithmonë aq të thjeshta sa duken në procesverbalet e para. Shpesh, pas një përplasjeje fshihen rrethana, veprime dhe mosveprime që duhen analizuar sekondë pas sekonde.
“Në një hetim të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen ose me pasojë dëmtimin e disa shtetasve është akti i ekspertimit autoteknik dhe akti i ekspertimit mjeko-ligjor. Këto janë dy elementët, të cilët duket se i kanë bërë “dembelë” prokurorët, për faktin e thjeshtë se shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nuk është një marrëdhënie e drejtpërdrejtë dhe e vetme vetëm e drejtuesit të mjetit dhe këmbësorit”, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci.
“Ndikon shumë kultura rrugore, ndikon shumë kultura e qytetarëve për ndjekjen e rregullave të qarkullimit, qoftë edhe kur janë këmbësorë që kalojnë vend e pa vend. Nuk kalojnë në vijat e bardha, nuk kalojnë kur është semafori jeshil, por e trajtojnë veten e tyre si të lirshëm në momentin që janë pa automjet dhe si persona që nuk mund të gjobiten sepse nuk kanë praktika të shumta”, u shpreh avokati, Bledar Meminaj./Top Channel
