Prej orësh 11:00 po zhvillohet mbledhja e Grupit Parlamentar të PS-së, ku marrin pjesë deputetët socialistë, ministrat e kabinetit qeveritar, por edhe disa drejtues institucionesh si drejtuesja e Kadastrës, Lorena Goxhobelli.

Mbledhja po zhvillohet pa praninë e mediave, por nga pamjet që kanë dalë nga brenda sallës, shihen teksa Elisa Spiropali dhe Erion Braçe, dy zërat më kritikë brenda grupit socialist, janë ulur në fund larg kryeministrit.

Ish-ministrja e Jashtme Elisa Spiropali u përfshi në një diskutim publik me kreun e Grupit Parlamentar Taulant Balla, pas mungesës së saj në seancën parlamentare të 12 marsit, ku u votua për imunitetin e Belinda Ballukut. Edhe Braçe ka qenë kritik për një sërë problematikash, së fundmi për rritjen e çmimeve të naftës në kurriz të qytetarëve.

Sa i përket diskutimeve, mësohet se u vendos që socialistët do të nisin nga java që vjen një tur komunikimi, që do të vijojë deri më 12 qershor, ditën e 35 vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste. Turi do të ketë në fokus procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Ky tur konsiderohet si një “para-fushatë elektorale”, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme lokale të pranverës së vitit që vjen.