Kryeministri Edi Rama ka vizituar pasditen e sotme Himarën, në zonat e prekura nga zjarret gjatë natës së kaluar, ku është njohur nga afër me situatën dhe punën e strukturave të angazhuara në terren.
Gjatë vizitës, Rama takoi efektivë të Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura, shërbimeve zjarrfikëse dhe strukturave të tjera që kanë marrë pjesë në përballimin e situatës. Kryeministri i falënderoi ata për angazhimin në mbrojtje të banorëve dhe pronës. Sipas të dhënave të bëra publike, gjatë 24 orëve të fundit në operacionet për përballimin e zjarreve janë angazhuar 881 forca operacionale, 75 automjete zjarrfikëse dhe 340 efektivë të Forcave të Armatosura.
Operacioni është mbështetur gjithashtu nga mjetet ajrore. Gjatë ditës së sotme në ndërhyrje janë përdorur helikopterë dhe avioni Air Tractor, në përpjekje për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit. Ndërkohë, për banorët e zonave të prekura, Bashkia e Himarës do të vijojë procesin e evidentimit, identifikimit dhe vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga zjarret.
“Ç’nuk na vret na bën më t’fortë“, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Më herët Rama njoftoi se bashkia e Himarës do të verifikojë dëmet nga zjarri, për të dëmshpërblyer të prekurit.
“Bashkia do të vijojë identifikimin dhe vlerësimin e dëmeve, si dhe evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Kreu i qeverisë vlerësoi gjithashtu punën në terren të strukturave përgjegjëse që menaxhuan situatën e vështirë me zjarret mbrëmë jo vetëm në Himarë, por edhe në Fier, duke shmangur rrezikun për banorët.
