Një punëtor 25-vjeçar nga Bangladeshi ndërroi jetë, ndërsa një tjetër nga Kenia mbeti i plagosur si pasojë e zjarrit të rënë në një magazinë ku prodhoheshin skafe në Durrës.
Ngjarja ndodhi në zonën e Fllakës, në ambientet e gatimit të magazinë, ku edhe dy punëtorët ishin duke fjetur. Siç shihet edhe në këto pamje, gjithçka është e shkrumbuar, ndërsa dyshohet se shkak i zjarrit mund të ketë qenë një bombol gazi.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 08:00, në një nga ambientet e magazinave të subjektit me administrator shtetasin S. M., në zonën e Fllakës, Sektor Rinia, ka rënë zjarr.
Si pasojë e zjarrit të rënë në ambientin ku gatuhej për punonjësit, (dyshohet nga bombula e gazit) ka ndërruar jetë, dyshohet nga asfiksia, shtetasi O. M., rreth 25 vjeç, nga Bangladeshi, ndërsa shtetasi tjetër, Ch. Ch., rreth 30 vjeç, nga Kenia, po merr ndihmë mjekësore në spital. Shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëses shkuan menjëherë në vendngjarje dhe bënë të mundur fikjen e zjarrit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave, shkakun e rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
