Një incident i rrezikshëm është regjistruar në portin e Barit, ku një makinë ka rënë në det në momentin që po hipte në tragetin me destinacion Shqipërinë.
Në automjet ndodhej vetëm një burrë, shtetas shqiptar, i cili arriti të shpëtojë në çastet e fundit. Burri ka thyer xhamin e përparmë dhe ka dalë nga automjeti pak para se makina të fundoset plotësisht.
Ai është ngjitur në çatinë e mjetit dhe më pas është kapur nga roja bregdetare, e cila ka ndërhyrë menjëherë për ta nxjerrë në breg. Forcat zjarrfikëse kanë përdorur njësinë e zhytjes për të rikuperuar automjetin e fundosur, ndërsa po hetohen rrethanat e aksidentit. Fatmirësisht, burri ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet portuale kanë njoftuar se operacionet e ngarkim-shkarkimit kanë vijuar normalisht pas mbylljes së incidentit. Ngjarja ka ngritur pikëpyetje mbi masat e sigurisë në Portin e Barit, veçanërisht në kushte atmosferike të vështira. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të incidentit.



