Një sherr mes dy biznesmenëve të njohur, Vasil Bedinaj dhe Luan Muça raportohet të ketë ndodhur paraditen e sotme në zonën e Orikumit në Vlorë. Mbi 15 roje private sigurie, shumica të armatosur, kanë zbarkuar te “Hotel Regina Palm” në pronësi të Bedinajt. Në pamjet e mëposhtme të publikuara nga “Gazeta Shqip”, shihet momenti kur mjetet lukszove rrethojnë biznesin. Ato parkojnë një nga një, para hotelit, ku shihet të zbresin disa persona.

View this post on Instagram

A post shared by Gazeta Shqip (@gazeta_shqip)

Ka qenë vetë Bedinaj që ka njoftuar policinë për ngjarjen, duke pretenduar se një grup personash të armatosur e kanë kërcënuar që t’i jepte 5 milionë euro ose ndryshe të largohej nga vendi brenda 24 orëve.

Ndërkohë, në disa pamje të publikuara më herët, brenda hotelin shihen dy persona të ulur në tavolinë, ndërsa pranë tyre janë 3 persona të tjerë të veshur me të zezë, teksa njërit prej tyre i shihet edhe një armë në dorë.

Nga ana tjetër, pala e biznesmenit Muça pretendon se takimi në hotelin Palma ka qenë një kurth i ngritur nga biznesmeni tjetër për të sjellë konflikt dhe për të përfshirë policinë. Për zbardhjen e plotë të ngjarjes është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë, dëshmitë e personave të përfshirë dhe të dhënat operative, me qëllim rindërtimin e plotë të dinamikës së konfliktit.