Një 24-vjeçar është arrestuar ditën e sotme në Tiranë, pasi akuzohet se përndiqte dhe kërcënonte përmes rrjeteve sociale një person, me qëllimin për t’i marrë para. Në pranga ka rënë Klevis Gega, i cili shantazhonte “viktimat” e tij me profile false në rrjetet sociale. Ai është arrestuar në flagrancë, teksa po merrte paratë nga një prej personave që kishte shantazhuar së fundmi. Paratë dhe 2 telefona celularë i janë sekuestruar dhe do shërbejnë si prova kundër ti gjatë procesit penal.
Njoftimi i policisë:
Përndoqi dhe kanosi një shtetas, nëpërmjet profileve të falsifikuara në rrjete sociale, me qëllim për t’i marrë një shumë parash, arrestohet në flagrancë 24-vjeçari. Pas marrjes njoftim se një shtetas, në mënyrë të përsëritur, përndiqte dhe kanoste nëpërmjet platformave virtuale një shtetas, duke i kërkuar një shumë parash, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Açountet”
Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi K. G., 24 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap në flagrancë në momentin e marrjes së shumës monetare. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, duke përdorur profile të falsifikuara në platformat virtuale, ka përndjekur dhe kanosur shtetasin D. P., duke e shtrënguar për t’i dhënë një shumë parash. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash dhe 2 aparate celularë. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Përndjekja”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.
