Policia e Tiranës njoftoi sot se kishte proceduar penalisht kryetarin e “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, për zaptim të paligjshëm të hapësirës para Kryeministrisë, ku po proteston prej dy ditësh në një formë aspak të zakontë.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i vetë politikanit, duke deklaruar se nuk do tërhiqet nga misioni i tij dhe protesta.
“Më paskan proceduar penalisht! Ju pres çdo ditë në orën 17:00 para kryeministrisë. Më paskan dekoruar me një procedim penal sepse paskam bllokuar qarkullimin në Tiranë dhe lëvizjen e lirshme të njerëzve. Dhe e ka bërë këtë ai segmenti i Policisë që mbështet narkotrafikun dhe Edi Ramën”, shprehet ai mes të tjerash.
Dhe më tej ai nuk e kursen ironinë për mazhorancën dhe Policinë.
“Vodhën 53 milionë euro te Tuneli i Llogarasë, por qenka problem që unë protestoj dhe më ndjekin penalisht. Por protestat nuk do ndalojnë, kam protestuar me qindra e mijëra herë dhe do vijoj të protestoj”, thotë ai, teksa ndodhet nga sheshi i protestës.




