Strukturat e Bashkisë së Delvinës, së bashku me familjarët e afërt, vizituan shtëpinë e dy vëllezërve Spiro dhe Thoma Çako, të cilët prej shumë vitesh përballen me sfida të rënda shëndetësore. Pas ndarjes nga jeta të nënës së tyre, që është kujdesur me përkushtim deri në momentin e fundit, situata e dy djemve është bërë edhe më e ndjeshme.

Gjatë vizitës, u zhvillua një bisedë me dajën e tyre, i cili dha miratimin që brenda pak ditësh Spiro dhe Thoma të transferohen në një qendër të specializuar, ku do të marrin shërbimet që gjendja e tyre kërkon:

  • Mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore
  • Higjienë dhe kujdes ditor
  • Ushqim të rregullt
  • Shërbime sociale dhe asistencë të dedikuar

Pavarësisht mbështetjes së Bashkisë së Delvinës ndër vite, nevojat e dy vëllezërve tashmë kërkojnë një standard më të lartë kujdesi dhe një staf të specializuar që garanton siguri dhe mirëqenie të plotë.

Asnjë familje nuk duhet të përballet e vetme me sfida kaq të rënda. Me këtë hap, synohet që Spiro dhe Thoma të marrin kujdesin e duhur, të pandërprerë dhe në mjedisin më të përshtatshëm për gjendjen e tyre shëndetësore.