Janë publikuar pamjet nga atentati me kallashnikov, dy ditë më parë në fshatin Rrilë në Lezhë. Në një postim në Facebook, gazetari investigativ Artan Hoxha ka publikuar videon nga ngjarja, ku shihen dy persona me xhupa dhe me kapuçë në kokë që qëllojnë drejt berberhanes me breshëri automatiku. Më pas njëri prej tyre fshihet pas një makine të bardhë.
“Në shkëmbimin e zjarrit dyshohet se janë përfshirë të paktën 4 persona, dy me pistoleta nga brenda lokalit dhe dy me kallashnikovë nga jashtë lokalit”, shkruan gazetari Hoxha.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 3 shkurtit në qendër të fshatit Rrilë, në Lezhë. Si pasojë, i plagosur ka mbetur Sokol Daci, 30 vjeç, i cili në atë moment ka qenë brenda ambienteve të berberhanes. Nga pamjet duket se atentatorët kanë qëlluar me breshëri dhe fasada e dyqanit është shkatërruar nga plumbat. Në atentat mbetën të plagosur pronari i berberhanes Sokol Daci, dhe Merando Nikula. Shënjestra e sulmit ishte Merando Nikulaj, i cili u plagos në këmbë dhe ndodhet ende në kërkim. Policia ka identifikuar si autorë tre personat Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka. Efektivi Besart Kovaçi është arrestuar për shpërdorim detyre, pasi ka qëlluar me armë drejt agresorëve dhe mbetet e paqartë roli i tij.



