Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel për konferencën e 7 Ndërqeveritare Shqipëri- BE, ku sot pritet të çelet edhe grupkapitulli i fundit i negociatave me Bashkimin Evropian.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë dhe pamje të tjera nga Brukseli, teksa shprehet se ky moment shënon edhe hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave në një kohë prej 12 muajsh.
“Konferenca e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE! Bruksel – Hapim grupkapitullin e fundit të negociatave me Bashkimin Europian, në një kohë rekord vetëm 12 muaj”, shprehet Rama.
I pranishëm do të jetë kreu i qeverisë shqiptare së bashku me Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe pjesëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar për të çelur negociatat për Grup-Kapitullin V: “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”.
Pas përfundimit të punimeve, Kryeministri Rama, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Marie Bjerre do të mbajnë një Konferencë të përbashkët për shtyp.
-Grupkapitulli V përfshin pesë kapituj thelbësorë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, me ndikimin më të drejtpërdrejtë tek prodhimi, konkurrueshmëria dhe zhvillimi i balancuar i territorit:
- “Bujqësia dhe Zhvillimi Rural” (kapitulli 11);
- “Politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitare”, (kapitulli 12);
- “Peshkimi” (kapitulli 13);
- “Politika rajonale dhe koordinimi i instrumentave strukturore” (kapitulli 22), si dhe
- “Dispozitat Financiare dhe Buxhetore (kapitulli 33).
Përmes këtij Grupkapitulli, Shqipëria përfiton lidhur me modernizimin e bujqësisë, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe dixhitalizimin e zinxhirit ushqimor. Një vend të veçantë zë forcimi i mekanizmave të kontrollit të sigurisë ushqimore dhe përafrimi me standardet e BE-së, ndërsa sektori i peshkimit dhe akuakulturës synon të përfitojë nga rregullat dhe programet europiane për menaxhim të qëndrueshëm.
Në komponentin e kohezionit, Shqipëria adreson rritjen e kapaciteteve për menaxhimin e fondeve të BE-së dhe përgatitjen për pjesëmarrje efektive në politikat e zhvillimit rajonal.
Ndërkohë, kapitulli për dispozitat financiare dhe buxhetore përfshin përputhjen me praktikat europiane për transparencë, planifikim buxhetor dhe administrim të fondeve publike.



