Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me debatet për projektin turistik në Zvërnec, duke publikuar një mesazh që i është dërguar nga një qytetar vlonjat, së bashku me pamje nga zona ku parashikohet të zhvillohet investimi.

Në postimin e tij, kreu i qeverisë shprehet se videoja pasqyron gjendjen aktuale të territorit, të cilin e përshkruan si të ndotur dhe të lënë pas dore. Ai akuzon kundërshtarët e projektit se po përpiqen të pengojnë një investim që, sipas tij, do të transformojë Vlorën dhe do ta ngrejë Shqipërinë në një nivel më të lartë të turizmit ndërkombëtar.

Kryeministri Rama thekson se bëhet fjalë për një investim prej 4 miliardë eurosh, të cilin e konsideron një mundësi të rëndësishme zhvillimi për zonën dhe vendin.

Në mesazhin e publikuar, qytetari shprehet në mbështetje të projektit, duke pretenduar se zona e mbrojtur është degraduar nga papërgjegjshmëria njerëzore dhe se investimi do të sillte zhvillim ekonomik e turistik për Vlorën.