Teksa ish-deputeti Ervin Saliani ndodhet në burg, është rikthyer sërish Albert Veliu, i njohur edhe me pseudonimin “Babalja”.

Ai është rishfaqur në një video-regjistrim, ku ndër të tjera flet edhe për dënimin e Salianjit me 1 vit burg, nën akuzë për shpifje. Ai është regjistruar me vetëdije nga një qytetar teksa hedh akuza ndaj Fredi Alizotit, duke pretenduar se ishte ai që çoi në burg Salianjin.

“Ishte loja e Fredit, jo e imja. Salianji në këtë pjesë nuk ka fare lidhje, dhe e dyta, mua Agron Xhafaj më detyrohet 300 mijë euro, më ka bërë golin në Itali. Salianjit i kanë rënë në qafë, ai nuk ka fare lidhje në këtë punë, e gjithë loja është bërë nga Fredi Alizoti”, thotë Albert Veliu në video, duke pretenduar se Alizoti është paguar për të dëshmuar kundër.

Fredi Alizoni është një emër kyç, pasi ishte dëshmia e tij ajo që përmbysi çështjen e audio-përgjimit të publikuar nga Salianji, duke pretenduar se në të shfaqej vëllai i ish-minsitrit Fatmir Xhafajt.

Më tej, Albert Veliu pretendon se disponon “USB”-në origjinale të përgjimit, dhe thotë se nuk ka në plan ta dorëzojë, pasi ajo është “siguri për jetën e tij”.

E vërteta është që mua ata më detyrohen 300 mijë euro, më ka bërë golin vëllai i tij 12 kile në Itali. Kaq po flas, nuk flas më shumë”, thotë ai.

Sipas dëshmisë së Fredi Alizotit në gjykatë, në vitin 2018, Albert Veliu (Babalja) i premtoi se do të merrte 200 mijë euro nga deputeti demokrat Ervin Salianji, për të sajuar zërin e vëllait të Fatmir Xhafajt në videopërgjimin e denoncuar më pas në selinë  PD-së. Demokratët kanë hedhur akuza ndaj Fredi Alizotit duke u shprehur se është paguar apo kërcënuar për dëshmuar kundër tyre.