Ish deputeti Ervin Salianji ka reaguar sërish kundër Sali Berishës, në lidhje me garën për kryetarin e Partisë Demokratike.
Salianji ka publikaur një video ku shfaqen dy deklarata të ndryshme të Berishës, ndërsa thotë se Kryedemokrati ka frikë të përballet me garë dhe mundim, referuar faktit që ai është i vetëm në garën për kreun e PD-së. Salianji shprehet se kushdo që i shmanget garës, nuk kërkon demokraci, por nënshtrim dhe ruajtje të pozicionit për interesa të veta personale.
Reagimi i plote:
Kam qenë dakord me Sali Berishën kur pak kohë më parë deklaronte: “Turpi i historisë i mbuloftë ata që mbrojnë zgjedhjet me një kandidat!”
Turpi mbuloftë cilindo që, për arsye pragmatike, privilegjesh apo përfitimesh personale, konformohet dhe pranon të përdhosë dinjitetin e vet dhe demokracinë, duke iu bërë barrë shoqërisë.
Demokracia nuk është dekor për t’u përdorur vetëm kur të leverdis. Ajo matet pikërisht në momentin kur duhet të pranosh garën, mendimin ndryshe dhe vullnetin e lirë. Kush i shmanget garës dhe kërkon unanimitet të imponuar, nuk kërkon demokraci, por nënshtrim, nuk kërkon rotacion por ruajtje te interesit personal! Për herë të parë në historinë politike të PDSh Sali Berisha ka frikë të përballet në garë, me garë e mundim!
