Policia ka arrestuar ditën e sotme administratoren e një dyaqni rrobash në rrugën “Demneri” në Yzberisht. E arrestuara është Estela Kapo, 49-vjeç, banuese në Tiranë, e cila u arrestua nga forcat blu, pasi shiste rroba të të kontrabanduara nga Greqia.

Sipas policisë, veshjet që ajo shiste nuk dispononin dokumentacion doganor apo fatura blerjeje. Dyshohet se këto rroba janë vjedhur në Greqi dhe më pas janë kontrabanduar drejt Shqipërisë. Policia ka shoqëruar të arrestuarën drejt ambienteve të komisariat, ndërsa po heton më shumë mbi rastin.

Njoftimi i policisë:

Seksioni i Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë për Krimet në Volum në DPPSh, si rezultat i administrimit të informacioneve të siguruara për një rast të kontrabandës së mallrave, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Outlet”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasja: E. K., 49 vjeçe, banuese në Tiranë.

Gjatë kontrollit në subjektin tregtar që administronte kjo shtetase, në rrugën “Demneri”, Yzberisht, u gjet dhe u sekuestrua një sasi e konsiderueshme veshjesh të ndryshme, për të cilat ajo nuk dispononte dokumentacion doganor apo fatura blerjeje. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.