Gjykata e Posaçme mësohet se ka dhënë masë sigurie për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shoqërua nga oficerët e BKH-së.

Në momentin e shoqërimit, Veliaj ishte në zyrë, në Bashkinë e kryeqytetit.

Me kërkesë të SPAK-ut, mësohet se Gjykata e Posaçme ka vendosur “arrest me burg” për Veliajn dhe “arrest shtëpie” për bashkëshorten, Ajola Xoxe.

Veliaj akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, ndërkohë që pritet njoftim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Top Channel shkruan se masa për të është caktuar nga gjyqtari Erjon Bani.

Veliaj dyshohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. GJKKO-ja ka lëshuar dhe të tjera masa sigurie, përfshirë tre detyrim për paraqitje, por për momentin nuk ka detaje. Ndaj Erion Veliajt dhe familjarëve të tij pati hetime mbi procedimin penal të nisur për “Korrupsion pasiv”. Sipas prokurorisë kishte të dhëna konkrete edhe për “Korrupsion aktiv”, “Pastrim parash” e “Fshehje pasurish”.

Pak muaj më parë, Veliaj u thirr në SPAK dhe duke folur para Këshillit Bashkiak të Tiranës, u shpreh se u denoncua nga një qytetar i quajtur Nesti Angoni, për të cilin deklaroi se nuk ekziston. Sipas tij ky është një “kurth i sajuar” e vuri në dukje se ka qenë bashkëpunues. Hetimin, mbrojtja e Veliajt e pati cilësuar “keqdashës, të qëllimshëm e në kundërshtim me ligjin”.