Një shqiptar ka arritur të kalojë të gjitha kontrollet e sigurisë në një aeroport të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke mbajtur një armë zjarri në çantën e dorës dhe duke hipur në avion me të. Ngjarja tronditëse ka ndodhur muajin e kaluar, ndërsa autoritetet kanë bërë publike pamjet dhe detajet këtë javë.

I arrestuari është identifikuar si Besnik Ismajlaj, 53 vjeç, me origjinë shqiptare. Ai kishte arritur të kalonte postbllokun e Administratës së Sigurisë në Transport (TSA), gjatë një ndërrimi turni në pikën e kontrollit të aeroportit, duke shmangur zbulimin e armës gjysmë-automatike të tipit Glock 9 mm që mbante me vete në çantë.

Pamjet filmike të publikuara nga autoritetet amerikane tregojnë momentin kur oficerët e sigurisë futen në avion dhe i afrohen Ismajlajt, i cili ndodhej ulur në klasën e parë. Ata i kërkojnë të ngrihet dhe ta shoqërojnë jashtë avionit. Ai nuk reziston dhe duket i qetë gjatë gjithë kohës.

Në momentin që e pyesin nëse e di pse po arrestohet, Ismajlaj përgjigjet: “Po, është në çantën time.” Më pas shton: “E harrova”, duke u treguar bashkëpunues me oficerët. Prangat i vendosen menjëherë pasi zbritet nga avioni, ndërsa autoritetet kontrollojnë çantën dhe gjejnë armën e mbushur brenda saj.

Ai është akuzuar për një kundërvajtje për mbajtjen e një arme zjarri të fshehur në ambientet e një aeroporti, një vepër penale që në SHBA trajtohet me seriozitet maksimal për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqet.

Ismajlaj pritet të dalë përpara gjykatës më 9 qershor, ku do të përballet me akuzat dhe mund të mësojë fatin e tij ligjor. Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë në aeroporte dhe mënyrën sesi mund të kalojë një armë përmes kontrolleve, madje dhe të hipet në avion pa u zbuluar.

Administrata e Sigurisë në Transport ka nisur një hetim të brendshëm për të zbuluar se si ndodhi kjo dështim i rëndë procedural dhe për të ndëshkuar personat përgjegjës që nuk zbatuan protokollet bazë të sigurisë.