Protesta kombëtare në tiranë vijon në ditën e 14 radhazi, e sërish me simbolika të veçanta. Veç pankartave me “meme” dhe ironi origjinale, në shehsin para godinës së kryeministrisë janë vendosur atlete nga qytetarët që po merren me organizimin. Atletet simbolizojnë largimin e shqiptarëve nga vendi. Kujtojmë më herët janë vendosur dhe karrige bosh apo edhe një shtrat, duke sjellë në një formë të veçantë revoltën mbi plagën e emigrimit që mundon vendin.

Ashtu si në ditët e tjera, edhe sot pritet të mbahen fjalim para godinës së kryeministrisë, e më pas priten marshime në rrugët e kryeqytetit. Sot pritet një pjesëmarrje më masive, pasi qytetarët që kanë marrë përsipër organizimin e protestës u kanë bërë thirrje shqiptarëve nga të gjitha zonat e vendit, por edhe atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë, të solidarizohen dhe t’i bashkohen tubimit.

Prej dy javësh tashmë, protesta që nisi si kundërshtim ndaj resortit që planifikohet të ndërtohet në Zvërnec, ka marrë përmasa më të mëdha, teksa qytetarët protestojnë për situatën ekonomike dhe sociale të vendit, duke shpalosur pakënaqësitë ndaj qeverisë por edhe ndaj të gjithë klasës politike të vendit.