Një zjarr i marr ka ngritur alarmin edhe në Gjirokastër, teksa flakët kanë përfshirë zonën pyjore në hyrje të fshatit Picar.  Flakët po përhapen nga era, duke krijuar rrezik për banesat. Pas njoftimit për situatën, në drejtim të vendngjarjes u nisën menjëherë dy grupe të shërbimit zjarrfikës.

Me mbërritjen në terren, u konstatua se zjarri kishte rënë në një zonë me dendësi të lartë shkurresh dhe pylli, duke e vështirësuar ndërhyrjen. Zjarri ndodhet në afërsi të fshatit, ndaj rreziku për banesat dhe banorët mbetet i pranishëm, veçanërisht nëse flakët favorizohen nga kushtet e terrenit dhe era e fortë.

Aktualisht, dy grupe zjarrfikëse po punojnë për izolimin e vatrës, ndërsa në terren po mbërrin edhe grupi i tretë, me qëllim vënien sa më shpejt të situatës nën kontroll dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit drejt banesave.