Pak orë pasi SPAK konfirmoi thirrjen e kreu të PD Sali Berisha për ta pyetur për dosjen e “21 janarit”, në dyert e prokurorisë është paraqitur avokati Genc Gjokutaj. Jozyrtarisht mësohet se ka dorëzuar kërkesën për shtyrjen e ditës së kur do të pyetet Berisha, me argumentin se ish-kryeministri do të ndodhet jashtë territorit më 21 nëntor.
Në një njoftim publik, Prokuroria e Posaçme konfirmoi se Berisha ka nënshkruar urdhër-thirrje teksa zbatoi sot masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’. SPAK i ka kërkuar Berishës që të paraqitet të premten e 21 nëntorit.
“Sot më datë 17.11.2025, gjatë zbatimit të masës “detyrim paraqitje” në Prokurorinë e Posaçme, z. Sali Berisha është njohur dhe ka nënshkruar urdhër-thirrjen lidhur me procedimin penal nr.138 të vitit 2024 (çështja e 21 Janarit), përmes të cilës, i kërkohet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, në datën dhe orën e caktuar”-, deklaroi SPAK.


