Tre vatra zjarri janë regjistruar gjatë ditës në zona të ndryshme të bashkisë së Gramshit, duke angazhuar për disa orë shërbimin zjarrfikës në terrene të vështira malore. Ndërhyrja e parë u zhvillua në Janç Mal, në kufi me qarkun e Beratit, ku forcat zjarrfikëse të Gramshit punuan në bashkëpunim me kolegët e Beratit për neutralizimin e flakëve.
Ndërkohë, një vatër tjetër u raportua në zonën e Grabovës, mbi Moçale, në drejtim të Varrit të Plakës, pranë kufirit me Pogradecin. Operacioni u vështirësua nga terreni i thyer dhe lartësia prej rreth 2 mijë metrash mbi nivelin e detit. Njëkohësisht, flakët përfshinë edhe zonën e Vidhanit, përballë Kërpicës, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të ekipeve zjarrfikëse. Sipas Shërbimit Zjarrfikës të Gramshit, të tre vatrat u vunë nën kontroll pas disa orësh pune intensive dhe nuk raportohen rreziqe të mëtejshme. Pas përfundimit të operacioneve, zjarrfikësit u kanë bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të zjarrvënies së qëllimshme apo pakujdesisë që mund të shkaktojë zjarre dhe të rrezikojë pyjet, pronat dhe jetën e njerëzve.
“Ne do të jemi gjithmonë në vijën e parë për t’i shuar flakët. Ju na ndihmoni që ato të mos ndizen,” apelon Shërbimi Zjarrfikës.
