Policia e Durrësit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 28 gusht në Durrës, ku u gjet një sasi tritoli e lidhur me një aparat celular, pranë disa makinave të parkuara. Dy të dyshuarit, Sherif Çela, 47 vjeç, dhe Muharrem Thartori, 46 vjeç, të dy banues në Durrës, u vunë në pranga. Në videon e publikuar nga policia dallohet njëri prej autorëve që lëviz pranë zonës ku u gjet celulari me lëndë shpërthyese.
Policia sekuestroi 3 celularë, të cilët do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme për të përcaktuar rolin e të arrestuarve në ngjarje. Ata janë nën akuzë për shkatërrimi i pronës me eksploziv, mbetur në tentativë, dhe armëmbajtje pa leje, vepra të kryera në bashkëpunim.
Njoftimi i policisë:
Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Sinjali”. Zbardhet autorësia e vendosjes së një sasie lënde plasëse të lidhur me një aparat telefonik celular. Arrestohen dy persona të dyshuar si autorë. Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasve S. Ç., 47 vjeç, dhe M. T., 46 vjeç, të dy banues në Durrës, të dyshuar si autorë të ngjarjes së ndodhur më datë 28.08.2026, në lagjen nr. 3, Durrës.
Më datë 28.08.2026, në lagjen nr. 3, Durrës, u konstatua një aparat telefonik celular i lidhur me një sasi lënde plasëse. Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 aparate telefonikë celularë, të cilët do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim.

