Një 48-vjeçar ka rënë në prangat e policisë sot në Tiranë, i akuzuar për trafik armësh zjarri. I arrestuari është Ligor Mehmeti, i cili u ndaluan në zonën e Tufinës teksa po udhëtonte me një automjet ku kishte të fshehura dhe armët.
Mehmeti prej kohësh dyshohet se ishte i përfshirë në trafikun e armëve, teksa në makinë iu gjetën 3 armë zjarri, 2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake. Armët e sekuestruara do të shiteshin në vlerë 1500 euro secila, ndërsa arma taktike për 8000 euro.
Njoftimi i policisë:
Goditet një rast i tentativës për të shitur armë zjarri. Sekuestrohen 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake). Arrestohet 48-vjeçari që i posedonte armët, me qëllim shitjen. Ai u kap në flagrancë, në Tufinë, duke i transportuar armët, me automjet.
Në bazë të informacioneve të siguruara për një rast të posedimit të armëve të zjarrit, me qëllim shitjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin e koduar “Barriera”. Gjatë operacionit, u vu në pranga shtetasi L. M., 48 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas u ndalua nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Myslym Keta”, Tufinë, ndërkohë që lëvizte me automjetin e tij. Nga kontrollet në automjet, u gjetën 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake), që dyshohet se ky shtetas i posesonte me qëllim shitjen në zonat “Fresku” dhe “Tufinë”.
Armët e zjarrit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 3 krehra me municion, automjetin që drejtonte shtetasi L. M. dhe celularin e tij. Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
