Ky është momenti i arrestimit të Arjon Hasajt, 29-vjeçari i cili një ditë më parë ekzekutoi me nëntë plumba Ramazan Matajn në Shkodër.
Sipas bluve të Shkodrës, Arjon Hasaj raportohet se ka qëlluar për vdekje 33-vjeçarin, pasi viktima kishte ndikuar në prishjen e marrëdhënies bashkëshortore të motrës së tij. I riu dyshohet se nëpërmjet llogarive të rreme në rrjete sociale, ka komunikuar me 33-vjeçarin për ta nxjerrë në pritë në fshatin Dragoç, ku dhe dyshohet se e ka vrarë. Arjon Hasaj është ndihmuar nga vëllai i tij, Klisman Hasaj, për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe për të fshehur armën e krimit.
Pas krimit, dy vëllezërit e fshehën armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës. Arjon Hasaj akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”; Ndërsa i vëllai, Klisman Hasaj, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.