Një incident i ndodhur gjatë protestës qytetare të zhvilluar më 16 qershor në Tiranë kundër projektit në Zvërnec ka përfunduar në polici. Një prej pjesëmarrësve në protestë ka kallëzuar se është kanosur nga një person i përfshirë në organizimin e aktivitetit, pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje ku ai pretendonte se disa qytetarë po pengoheshin të merrnin fjalën në podium.
Sipas kallëzimit, debati ka nisur për shkak të publikimit të videos dhe të drejtës për të folur në protestë. Kallëzuesi pretendon se gjatë një përballjeje verbale është ndier i kërcënuar, ndërsa ka deklaruar se edhe bashkëshortja e tij ndihet e pasigurt. Nga ana tjetër, personi i kallëzuar rezulton të jetë Gentian Progni, i cili ka mohuar akuzat për kanosje.
Në deklarimin e tij para policisë, ai ka sqaruar se i ka kërkuar shpjegime kallëzuesit lidhur me videon e publikuar në rrjetin social “TikTok”, ku pretendohej se ai vendoste se kush mund të fliste në podium. Sipas tij, ai nuk ka rol organizativ në protestë dhe merret vetëm me çështje teknike që lidhen me funksionimin e internetit gjatë aktivitetit. Ai ka deklaruar gjithashtu se ka qenë i shoqëruar nga dy persona të tjerë dhe se debati ka pasur në qendër pretendimet për kufizimin e fjalës së lirë në protestë. Policia ka nisur verifikimet për rastin dhe pritet të marrë në pyetje edhe personat që kanë qenë të pranishëm gjatë debatit, për të sqaruar rrethanat e ngjarjes./ Top Channel
