Prokuroria: 20-vjeçarja mund të kërcënohej pas publikimit të fotove në media online. Do t’i ruhet banesa në Dibër 


Shukri-Xhelili-780x439


DOSJA


Vajza

20-vjeçarja ka deklaruar se ishte vënë nën presion nga krybashkiaku për t’i afruar favore seksuale në këmbim të një vendi pune


Xhelili

Ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili, u ka thënë hetuesve se njihej me vajzën prej një viti. Ka pretenduar se ishte një inskenim


Prokuroria

Prokuroria ka regjistruar procedimin penal me akuzat e marrëdhënieve seksuale, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv


Policia ka marrë në ruajtje banesën e 20-vjeçares që denoncoi publikisht ish-kreun e Bashkisë së Dibrës se i kërkoi favore seksuale në këmbim të vendit të punës. Me kërkesë të prokurorisë, policia ka shkuar në banesën e familjes, ndërsa kjo masë vjen edhe pas publikimit në median online të vajzës. Burimet pranë Policisë së Shtetit thanë se me kërkesë të prokurorisë, janë marrë masa për ruajtjen fizike të saj, familjes dhe banesës ku jetojnë në Dibër. Kjo për të evituar çdo përplasje mes saj, familjarëve dhe personave të tjerë të afërm apo njohur të ish-kryetarit të Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili. Sipas policisë, mësohet se kërcënimet direkte ndaj vajzës apo familjarëve nuk ka pasur, por në rrjetet e ndryshme sociale fotoja e vajzës është publikuar. Përveç fotos së publikuar tashmë, janë hapur disa profile në rrjetet e ndryshme sociale me fotografinë e saj, ku ajo fyhet, kërcënohet ose edhe poshtërohet me fjalë e komente nga ndjekës të ndryshëm.


Dëshmia në prokurori

Vajza 20-vjeçare nga Dibra është marrë në pyetje nga prokuroria, e cila ka dëshmuar njohjen me ish-kreun e Bashkisë së Dibrës. Ajo ka pranuar se është ai që e ka punësuar dhe për këtë fakt, i kërkonte favore seksuale. E ndier nën presionin e kreut të bashkisë, ajo kishte vendosur ta filmonte duke u vetofruar në një media, e cila më pas ka kryer regjistrimin. Ndërsa ish-kreu i bashkisë ka pranuar njohjen me vajzën, por nuk ka pranuar të flasë ose komentojë videoskandalin apo akuzat e ngritura ndaj tij nga prokuroria.

Në ditët në vazhdim, pritet që dosja të kalojë për kompetencë pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila pas administrimit të provave do të vendosë, nëse është i nevojshëm caktimi i ndonjë masë sigurie apo Shukri Xhelili do të vazhdojë të hetohet në gjendje të lirë për akuzat e ngritura.


Shkarkimi nga puna

Para tre muajsh me urdhër të Shukri Xhelilit është pushuar nga puna nëna e vajzës 20-vjeçare. “Kjo dyshohet se mund të jetë një nga arsyet pse vajza ka filmuar të gjithë veprimet e Xhelilit teksa i kërkonte favore seksuale në këmbim të punës”, pohojnë burime nga prokuroria. Sipas saj, e ëma e 20­vjeçares punonte si sanitare te zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe më pas është dërguar te ndërmarrja e llixhave që administrohet nga Bashkia e Dibrës. Kjo dyshohet se e ka zemëruar vajzën që t’i publikojë videoskandalin, ku ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Halili, i kërkonte seks asaj në këmbim të vendit të punës dalin në dritë të tjera detaje. Sipas burimeve të besueshme mësohet se vendin e saj të punës e ka zëvendësuar një njeri shumë i afërt me Shukri Xhelilin.


Hetohet Xhelili

Ish-kreu i Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili, po hetohet për tri vepra penale, pas publikimit të videoskandalit, ku ai është filmuar me zë dhe figurë teksa i kërkonte favore seksuale një 20-vjeçareje, në këmbim të vendit të punës. Ish-kryebashkiaku i Dibrës, i cili u shkarkua me një vendim qarkullues të Këshillit të Ministrave, do të hetohet në gjendje të lirë. Ky është verdikti i Prokurorisë së Dibrës, e cila ka regjistruar procedimin penal për tri akuza. Sipas saj, marrëdhënia seksuale duke shpërdoruar detyrën, shpërdorimi i detyrës apo korrupsioni pasiv nuk janë vepra të rënda penale dhe se qëndrimi në këtë masë nuk rrezikon prishjen e provave. Në filmimet e transmetuara të enjten në mbrëmje, Xhelili i kërkon favore seksuale një vajze të re për një vend pune. Pasi i firmos kontratën, Xhelili dhe vajza takohen në Tiranë dhe shkojnë në një hotel në kryeqytet, mirëpo vajza, që kishte regjistruar gjithçka me kamera, refuzon të kryejë marrëdhënie seksuale duke u larguar nga hoteli në momentet e fundit. Të gjitha veprimet procedurale janë kryer nën kryesimin e prokurorit të Rrethit Gjyqësor Dibër.