Policia e Tiranës ka referuar materialet në Prokurori ku kanë nisur hetimet për publikimin dhe shpërndarjen në disa portale dhe platforma online të materialeve filmike me përmbajtje intime, ku në fokus janë disa personazhe të njohur të botës së artit dhe muzikës.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se materialet në Prokurori janë referuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.
Ndërkohë Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike po punon me qëllim identifikimin e adresave IP, dhe të dhënave të tjera të faqeve dhe profileve që kanë publikuar apo shpërndarë këto materiale, si dhe po ndërmerr procedurat për heqjen e tyre nga platformat ku janë publikuar.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë-Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka nisur hetimet kryesisht, pas konstatimit të publikimit dhe shpërndarjes në disa portale dhe platforma online të materialeve filmike me përmbajtje intime.
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryen veprime hetimore me qëllim identifikimin e adresave IP, dhe të dhënave të tjera të faqeve dhe profileve që kanë publikuar apo shpërndarë këto materiale, si dhe po ndërmerr procedurat për heqjen e tyre nga platformat ku janë publikuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.
