Një vatër zjarri ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit në fshatin Dervician të Dropullit, duke djegur plotësisht një banesë, ndërsa flakët kanë rrezikuar edhe shtëpitë fqinje. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:37 në një shtëpi ku aktualisht nuk jetonte askush.

Banorët e zonës, të alarmuar nga flakët dhe tymi, njoftuan Shërbimin Zjarrfikës. Në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit e bashkisë Dropull dhe ata të Gjirokastrës, për të parandaluar përhapjen e zjarrit në shtëpitë përreth.

Operacioni i luftimit të flakëve përfshiu ujë të vazhdueshëm, dhe falë përpjekjeve të zjarrfikësve, arriti të evitojë dëmtimin e shtëpive të tjera, megjithatë banesa ku shpërtheu zjarri u shkatërrua plotësisht.