Dy hajdutë bastisin banesën te “Piaca”, i marrin dy orë dhe një aparat fotografik
Vidhet banesa e publicistit të njohur Fatos Lubonja, e cila ndodhet në qendër të Tiranës, mbrapa zonës së quajtur “Piaca”. Burime nga policia bëjnë me dije se autorët e krimit kanë mundur që të marrin dy orë, të cilat janë pjesë e koleksionit të Lubonjës. Ngjarja ka ndodhur gjatë kohës kur publicisti ka shkuar në një udhëtim në Firence të Italisë, për të takuar familjen e tij. Besohet se hajdutët e kanë ditur mirë se çfarë kërkonin në shtëpinë e publicistit. Sapo ata janë futur në banesë, kanë gjetur orët që ishin të interesuar, ndërsa kanë vjedhur edhe një aparat fotografik. Më pas kanë dalë, duke mos u pikasur nga askush. Përpara se autorët e krimit të vepronin, kanë marrë informacionin e duhur për lëvizjet e Lubonjës. Ata kanë mësuar se publicisti kishte dalë jashtë Shqipërisë, ndërsa kanë marrë masat për të hyrë në apartamentin e tij.
Burime nga Policia e Tiranës pohojnë se për ngjarjen në fjalë ka pasur një denoncim dhe një grup hetimor ka shkuar në banesë. Grupi hetimor ka bërë këqyrjet përkatëse, ndërsa ka marrë edhe gjurmë të mundshme gishtërinjsh, me shpresën se do të gjejnë prova materiale, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e autorëve që dhunuan shtëpinë e publicistit. Gjithashtu policia ka marrë në pyetje banorët e pallatit, për të konstatuar nëse ditën e krimit kanë parë persona të dyshimtë që të lëvizin pranë zonës në fjalë apo jo. Nisur edhe nga këto gjurmë, policia dyshon se kanë qenë dy autorë, megjithëse hetimet e mëvonshme do të saktësojnë të gjitha detajet e vjedhjes.
Ndërkaq, ende nuk dihet se sa është vlera monetare e sendeve të vjedhura. Prej vitesh Lubonja grumbullon ora të ndryshme dhe piktura, të cilat i var në mur. Këto të fundit kanë vlera të mëdha për publicistin, pasi mendohet se u përkasin piktorëve të shquar shqiptarë. Gjithashtu publicisti ka në koleksionin e tij piktura të dhuruar nga miqtë e tij, mes të cilëve Kryeministri Edi Rama, Mimoza Ahmeti, Ali Oseku e të tjerë. S.Muça
