Policia ka zbardhur katër raste vjedhjeje të regjistruara në Peqin dhe Elbasan, ndërsa në kuadër të hetimeve janë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar si autorë.

Sipas uniformave blu, tre prej vjedhjeve dyshohet se janë kryer gjatë javës së fundit. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se dy të arrestuarit dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke vjedhur në banesa, biznese dhe automjete në qytetet e Peqinit dhe Elbasanit.

Gjatë vjedhjeve, autorët dyshohet se kanë marrë shuma parash dhe sende me vlerë.

Në vijim të kontrolleve të kryera nga policia, është sekuestruar edhe një automjet që dyshohet se përdorej për kryerjen e vjedhjeve. Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar mjete të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për hapjen e dyerve, bravave dhe qepenave.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe veshje që dyshohet se janë përdorur nga të dyshuarit gjatë kryerjes së vjedhjeve.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale, ndërsa policia po verifikon edhe raste të tjera vjedhjesh që mund të lidhen me personat e arrestuar.