Pas një pune intensive hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak kanë zbardhur dhe dokumentuar tre vjedhje të ndodhura në market dhe dy biznese në zonën e Shijakut. Operacioni i koduar “Shumat” ka çuar në kapjen dhe ndalimin e shtetasit R. T., 27 vjeç, banues në Shijak, i cili dyshohet të jetë autori i këtyre vjedhjeve.

Sipas hetimeve, R. T. ka vjedhur shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë, përfshirë aksesorë të ndryshëm, në market dhe dy biznese në fshatrat Borak dhe Xhafzotaj të Shijakut. Autoritetet po punojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për të zbardhur dhe dokumentuar edhe disa raste të tjera të vjedhjeve që dyshohet se janë kryer nga i njëjti shtetas.

Në cilësinë e provës materiale, ndaj 27-vjeçarit janë sekuestruar rrobat e përdorura gjatë kryerjes së vjedhjeve. Hetimet vijojnë, dhe materialet janë dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Durrësit për veprime të mëtejshme, duke u ngarkuar me veprën penale “Vjedhje”.