Ndërsa e konfirmoi si drejtuese qarku për Fierin në zgjedhjet e ardhshme, kryeministri Edi Rama u shpreh se nuk do ta shpallë as fajtore dhe as të pafajshme Belinda Ballukun në lidhje me ato që SPAK po heton.
Ai tha se vijën e kuqe që ka vendosur për të gjithë socialistët pas vënies në funksion të reformës në drejtësi, nuk do ta shkelë as në rastin e saj.
“Nuk e kam as të mundur as të lejuar, qoftë nga ligji e zakoni që t’i mbajë pishën asnjë bashkëpunëtori. S’e kam ndërmend t’u them as juve se Belinda është një njeri që durohet lehtë në punë, sidomos kur i thotë koka që ka të drejtë e do t’i dalë e vetja. S’kam ndërmend ta shpall të pafajshme për çfarë akuzohet apo të shkel për të vijën e kuqe që e kam vizatuar në këtë sallë të nesërmen e reformës në drejtësi, e që vlen për të gjithë”, tha Rama.


